Dienstag, 27. Januar 2009

SHBA dhe shqiptaret

Shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë mbështetjen që Amerika në emër të vlerave themelore të njerëzimit i dha vendit

Berisha: Marrëdhëniet me SHBA do të njohin dimensione të fuqishme

Kreu i ekzekutivit shqiptar ka shprehur dje, bindjen e tij të thellë se tek Presidenti Obama dhe administrata e tij, shqiptarët do të gjejnë një mik të çmuar ndaj dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA do të njohin dimensione të reja. I pranishëm në forumin e organizuar nga Ministria e Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA në Tiranë me temë: "Politika e Jashtme e SHBA-ve: Administratë e re, Doktrinë e re - Perspektiva rajonale", kryeministri Berisha ka vlerësuar se ardhja e Obamës në krye të Shtëpisë së Bardhë do të intensifikojë edhe më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. "Unë kam bindjen më të thellë se, tek Presidenti Barack Obama, shqiptarët kanë dhe do të kenë një nga miqtë më të çmuar dhe se në administratën e tij punojnë miqtë më të mirë të kombit shqiptar, nga zëvendëspresidenti Joe Biden, ish-senatorja Hillary Klinton, tani Sekretare e Departamentit të Shtetit, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, James Johns, por edhe shumë personalitete të tjera në të gjitha nivelet e kësaj administrate. Ndaj, në perspektivën dhe në mendimin tim, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të njohin dimensione të reja të fuqishme", ka vlerësuar kryeministri, duke i përcjellë në emër të të gjithë shqiptarëve urimet më të përzemërta ndaj Barak Obamës për detyrën që sapo ka marrë si President i SHBA. Gjithashtu, ai ka vënë në dukje se, Shqipëria ka pasur dhe ka tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin dhe mikun më të çmuar, partnerin e saj strategjik. Kryeministri veçoi se, shqiptarët nuk do të harrojnë kurrë mbështetjen që SHBA-të në emër të vlerave themelore të njerëzimit i kanë dhënë çështjes së tyre kombëtare në çastet më përcaktuese për lirinë e tyre. Kjo mbështetje, vlerësoi kreu i qeverisë, nuk ka qenë një veprim politik i izoluar apo dëshirë rastësore e një administrate apo Presidenti të vetëm. "Ndër dekada e dekada, administrata dhe Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhanë kontributin e tyre të veçantë, por dhe përcaktues ndaj çështjes shqiptare dhe lirisë së kombit tonë, janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm dhe kryesorë të suksesit, të përpjekjeve të kombit shqiptar për liri, dinjitet dhe mbrojtje të vokacionit të tij Perëndimor. Këto qëndrime përbëjnë bazën e konsolidimit të miqësisë tradicionale dhe ndjenjës së fuqishme pro-amerikane që ekziston sot tek të gjithë shqiptarët", vijoi më tej kreu i qeverisë. Kryeministri vuri në dukje se, Shqipëria dhe shqiptarët janë të angazhuar, fatmirësisht dhe në sajë të kësaj mbështetje, në një proces të ndërtimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë, kudo që ata jetojnë. Sipas kryeministrit, kjo përbën një faktor kryesor të miqësisë, të bashkëpunimit, të perspektivës së shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy kombeve. "Nuk do të ndalem këtu të përmend të gjitha kontributet e jashtëzakonshme të mëparshme të Presidentëve të Shteteve të Bashkuara nga Presidenti Uillson, përpjekjet e mëdha të Presidentit Truman, për të çliruar shqiptarët nga komunizmi; interesin e Presidentit Reagan dhe Presidentit George H. Bush që Shqipëria të mos mbetej Kuba e Adriatikut, por t'u bashkohej komunitetit të kombeve të lira; udhëheqjen që Presidenti Klinton i bëri luftës në Kosovë dhe çlirimit të qytetarëve shqiptarë në Kosovë; mbështetjen që Presidentti George W. Bush i dha Shqipërisë në përpjekjet e saj për integrimin në NATO dhe shqiptarëve të Kosovës për pavarësi", vlerësoi kryeministri, ndërsa shtoi se të gjitha këto janë një thesar i çmuar në fondin e miqësisë midis dy kombeve dhe vendeve.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen